Mbahet punëtoria për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë hapur punimet e seminarit në nivel nacional për institucionalizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për mërgatën që jeton në Zvicër.
Në këtë punëtori, që është zhvilluar më 18 dhe 19 ma në Dottingen të Zvicrës, Gashi dhe Nagavci së bashku me mësuesit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kanë diskutuar për hapat e institucionalizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Në kuadër të kësaj punëtorie, ato kanë theksuar hapat konkret që ka ndërmarr Qeveria e Republikës së Kosovës në adresimin e nevojave të parashtruara dhe që janë në funksion të këtij qëllimi.
Është bërë me dije se roli i misioneve diplomatike dhe konsullore në procesin e institucionalizimit të mësimit plotësues në Zvicër dhe Seminari Mbarëkombëtar i Mësimit Plotësues në Diasporë, që do të mbahet këtë vit në Kosovë në muajin korrik, 2024 ishin disa nga temat e tjera që u diskutuan gjatë kësaj punëtorie.
Punëtoria për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Konfederatën e Zvicrës zhvillohet pas asaj që u mbajt në Gjermani më 10 dhe 11 maj.