Mbahet punëtoria për qeverisjen e hapur lokale, integritetin politik dhe etikën publike
Me qëllim që të pasurojë njohuritë e shefave dhe zyrtarëve komunalë për prokurim mbi standardet, mekanizmat dhe praktikat e mira evropiane, Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) në partneritet me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës (Kongresi) ka organizuar punëtori mbi qeverisjen e hapur lokale, integritetin politik dhe etikën publike.
Takimin dhe të pranishmit i kanë përshëndetur Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Gëzim Plakolli, zyrtar i lartë i Projektit në Këshillin e Evropës.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës në bashkëpunim të ngushtë me Asociacionin e Komunave të Kosovës aktualisht është duke zbatuar projektin “Promovimi i demokracisë lokale” (2020-2021), i cili synon të përmirësojë vetëqeverisjen lokale dhe cilësinë e demokracisë lokale, duke nxitur një dialog shumë nivelesh dhe duke forcuar kapacitetet e autoriteteve lokale dhe përfaqësuesve të zgjedhur për të vepruar si nxitës të ndryshimit.
Projekti adreson elementet kryesore të qeverisjes së mirë, përfshirë mënyrat për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, avancuar etikën publike dhe nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve si një mjet për të përforcuar llogaridhënien e administratës publike lokale.