Mbahet seminari për licencimin e klubeve
Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të hënën është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-së nën përkujdesjen e menaxherit për licencimin e klubeve, Bajram Shala e ku ishte i pranishëm edhe zëvendës sekretari i përgjithshëm njëherësh dhe drejtor i zyrës ligjore, Arianit Ahmeti, sikur dhe Komisioni i shkallës së parë për licencim dhe Komisioni i Apelit.
Të pranishmëve për rëndësinë e këtij seminari që ka të bëjë me kriteret për licencim u ligjëroi menaxheri i licencimit Bajram Shala, i cili vuri në dukje pesë kriteret themelore që duhet t’i plotësojë një klub siç janë: Kriteri sportiv, kriteri i personelit dhe administratës, kriteri ligjor, kriteri infrastrukturor dhe kriteri financiar.
Në vazhdim Shala u ka sqaruar përfaqësuesve të klubeve për të gjitha kriteret një për një dhe për rëndësinë që kanë në mënyrë që një klub ta fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në garat evropiane. Për kriterin financiar pjesëmarrësve u ka folur Naim Havolli, i cili bëri me dije se ndonëse kriteri financiar renditet si i pesti për kah rëndësia është tepër me rëndësi sepse klubet kanë më shumë telashe financiare, ndaj duhet të punohet prej fillimi me korrektësi maksimale dhe në përputhje me ligjet që rregullojnë fushën e financave.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)