Mbahet simpoziumi i parë i kirurgëve mbarëshqiptarë të fëmijëve
Është mbajtur në Prishtinë simpoziumi i parë i kirurgëve të fëmijëve shqiptarë me pjesëmarrje ndërkombëtare, që për qëllim kishte shkëmbimin e përvojave ndërmjet kirurgëve të fëmijëve.
Më shumë se 80 pjesëmarrës kanë ndarë përvojat e tyre në temat që janë trajtuar siç është kirurgjia neonatale, kirurgjia abdominale, kirurgjia terakale pediatrike, urologjike dhe trauma e fëmijëve.
Pjesëmarrësit e këtij simpoziumi të parë kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania.
Në hapje të këtij simpoziumi ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili. Ai ka thënë se krahas investimeve që janë duke bërë në përmirësimin e kushteve të punës e rëndësishme është edhe investimi në personelin shëndetësor, raporton “Ksp”.
Ismaili ka thënë se transferimi i diturisë, i praktikave më të mira do të jetë hapi më i madh në investim që mund të bëhet në sistemin shëndetësor, pasi sipas tij nuk janë pajisjet ato që e bëjnë punën por praktika dhe dituria e mjekëve.
Ai ka premtuar që edhe në të ardhmen të organizohen simpoziume të tilla, derisa ka bërë thirrje që të shtyjnë investimet sa më shumë në kapacitetin njerëzor.
Ndërsa, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Murat Berisha, ka treguar se si kanë ardhur deri tek ideja për organizimin e këtij simpoziumi.
Këtë simpozium të rëndësishëm e ka quajtur edhe drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, i cili ka thënë se vetëm fakti i pjesëmarrjes ndërkombëtare e bënë të rëndësishëm.
Ai ka uruar që simpoziume të tilla të bëhen një traditë, pasi sipas tij është shumë e rëndësishme për kirurgët vendor.
Një nga pjesëmarrësit e këtij simpoziumi ka qenë edhe Emir Haxhija, kirurg, i cili punon në Graz të Austrisë. Ai ka thënë se janë munduar që ta prezantojnë kirurgjinë pediatrike ashtu siç aplikohet në shtetet e zhvilluara.