Mbahet takim konsultativ me gjuetarët e Kamenicës, diskutohen çmimet për anëtarësi
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin e Bujqësisë, Shpend Morina, kryesuesin e Kuvendit, Liridon Kastrari, dhe u.d drejtorin e NPL ‘Dardana’, Armend Bunjaku, kanë pritur në takim gjuetarët e Kamenicës.
Në këtë takim i pari i komunës ka falënderuar të gjithë gjuetarët për prezencën e tyre duke thënë se komuna është e gatshme që t’iu ndihmoj dhe t’i financoj sikurse OJQ-të e tjera.
“Ne kemi nevojë që grupet e tilla të interesit të organizohen në formë formale. Ashtu siç kemi organizatë të atletikes, skijimit, hikingut, volejbollit dhe të tjera duam që të kemi edhe një grup formal të gjuetisë apo OJQ. Kur e them këtë është se do ta kemi më të lehtë të bashkëpunojmë dhe të ndajmë fonde edhe për juve siç ndajmë çdo vit për OJQ-të e tjera. Andaj për këtë ju them ta merrni një iniciativë të formoni një OJQ, ndërsa për regjistrim dhe të tjerat çështje ligjore ju ndihmon drejtoria. Kjo është mënyra më e mirë që ju mund të përfitoni andaj ju mirëpresim”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera Kryetari Rahimaj në këtë takim konsultativ ka thënë se Komuna e Kamenicës ka pasur një kontratë për menaxhimin e vend-gjahishtes por që ka skaduar.
“Në gusht kemi marr një vendim nga Gjykata Komerciale që procesi nuk ka qenë i ligjshëm, edhe ashtu ka skaduar. Andaj për këtë e kemi formuar ndërmarrjen dhe duam të bëjmë marrëveshje me NPL ‘Dardana’. Ajo që është e rëndësishme është që plani i ndërmarrjes të implementohet. Po ashtu është e rëndësishme edhe caktimin tarifave. Ne kemi të gjitha mjetet për inspektim të rregullt, për të mbrojtur ambientin, por edhe të gjithë kolegët e tuaj me anëtarësim dhe pagesa të rregullta t’i respektojmë”, ka thënë KRahimaj.
Drejtori i Bujqësisë, Shpend Morina, theksoi se ky takim konsultativ është i rëndësishëm sepse do të diskutohet për kontratën në gjueti dhe çmimet për të cilat ka kërkuar nga gjuetarët t’i propozojnë.
Edhe Kryesuesi i Kuvendit, Liridon Kastrati, theksoi se bashkëpunimi me gjuetarët është i nevojshëm, pasi që sipas tij duhet dhënë propozime që procedurat të lehtësohen lidhur me dokumentet që duhen marrë.
Nga gjuetarët është propozuar që çmimi për anëtarësi të mos jetë më i lartë sesa në rajon, madje sipas mundësive të jetë diku prej 30, 40, apo 50 euro. Po ashtu kishe edhe propozime që pensionerët të lirohen nga pagesa.