Mbahet takim për votimin e buxhetit në Gjilan, të përfshira PDK-ja dhe LDK-ja

20 shkurt 2025 | 21:26

Përfaqësues të degëve të PDK-së dhe LDK-së në Gjilan kanë mbajtur takim sot me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për të diskutuar për miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Në mes shumë polemikave disa javore ishte kryetari i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, ai që i bëri bashkë VV-në, LDK-në dhe PDK-në të këtij qyteti të ulen për arritjen e një marrëveshjeje.

Nga Dega e PDK-së në Gjilan kanë bërë të ditur se kryetari i tyre, Riad Rashiti, i ka paraqitur qëndrimet e qarta të PDK-së, që janë aspektet ligjore dhe procedurale në interes të projekteve zhvillimore për komunën.

“Njoftojmë opinionin publik, që vullneti jonë politik siç ka qenë në të kaluarën është edhe tash, zhvillimi, integrimi e fuqizimi i komunës në çdo sektor. Prandaj, opozita nuk e ka as edhe një barrë të ngecjes e dështimit të kësaj qeverisje”.

“Edhe ne, si të gjithë akterët e tjerë tashmë përgjigjen po e presim nga Kryetari i Komunës, dhe partia e tij, sepse siç u shpreh në takim i pari i Komunës, miratimi për çështjet, kërkesat tona ligjore, duhet të kaloj në selinë e partisë së VV-së”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Për të njëjtin takim me një postim në Facebook doli edhe kryetari i degës së LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se LDK rikonfirmoi sot, për të satën here, se buxheti duhet të zbatohet sipas ligjit e në përputhje me udhëzimet e ministrit të MAPL, Elbert Krasniqi, “i cili, në përgjigjen ndaj kërkesës së paligjshme të ekzekutivit të Gjilanit, ua ka ‘vizatuar’ këtyre të fundit se si duhet të përgatitet e miratohet buxheti komunal”.

“Duhet të zbatohet ligji për buxhet, që nënkupton organizimin e dëgjimeve buxhetore, përfshirë e projektet e nisura e palët e interesuar për të kontribuar, ku Komiteti për Politikë e Financa dhe Kuvendi janë vendimmarrës në emër të qytetarëve”.

Më 13 shkurt ishte thirrur një takim për t’u mbajtur nga të njëjtit persona për të njëjtën çështje por kishte dështuar, si në raste të tjera. Pas dështimit të këtij takimi, kryetari Hyseni mbajti një konferencë për media, ku tha se përpjekjet për votimin e buxhetit nuk do të ndalen dhe se do të ketë edhe ftesa të tjera.

Në lidhje me këtë, Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar tejet të vonuar ftesën zyrtare të kryetarit të komunës së Gjilanit, ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte thënë se do të votojnë buxhetin kur të merren parasysh kërkesat e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar 36-vjetorin e grevës…