Mbahet takimi i 224-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 224-të me radhë, sipas rendit të paraparë të ditës.
Takimi ka filluar me plotësim-ndryshimin e agjendës dhe me miratimin e procesverbaleve të takimit 221, 222 dhe 223 të KPK-së.
Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar kërkesa e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda, me ç’rast, KPK-ja i ka marrë vendim për shpalljen e brendshme sipas kërkesës së lartcekur.
KPK-ja gjatë këtij takim ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në “Objektin C” të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota.
Në fund të takimit, KPK-ja ka miratuar pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti.