Mbahet takimi i grupi punues për finalizimin e Projektkodit të Procedurës Penale
Grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë për finalizimin e Projektkodit të Procedurës Penale, të mërkurën ka mbajtur takimin e radhës në të cilin ka marrë pjesë edhe ministri Selim Selimi.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për disa çështje me rëndësi, duke përfshirë çështjen e gjykimit në mungesë, suspendimin nga puna të zyrtarëve publikë me rastin e ngritjes së aktakuzës, në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe mundësinë e përfshirjes së dispozitës që lejon mbajtjen e seancave online, në rrethanat e ngjashme sikurse ballafaqohemi aktualisht me Covid-19.
Me këtë rast, Selimi i ka ofruar mbështetje grupit punues për finalizimin e Projektkodit të Procedurës Penale, duke shtuar se ky projektkod është i domosdoshëm për avancimin e legjislacionit për sistemin e drejtësisë.
“Finalizimi i Projektkodit të Procedurës Penale është ndër prioritetet e mia, për faktin se miratimi i Kodit të Procedurës Penale adreson sfidat me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet sistemi ynë gjyqësor dhe prokurorial, andaj është përgjegjësi e jona, që këtyre sfidave t’iu gjejmë zgjidhje, duke avancuar legjislacionin”, ka thënë ai.
Procesi i hartimit të Projektkodit të Procedurës Penale është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Epoka e re/