Mbahet takimi i parë i Ekipit Punues për analizën e themelimit të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës
Sot, më datë 20 maj 2020 u mbajt takimi i parë i Ekipit Punues i cili u themelua nga ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ky ekip është themeluar si rezultat i nevojës për një institut i cili do të mund të adresonte, më në fund, atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. E dyta, do të mund të dokumentonte në mënyrë të përbashkët gjithashtu edhe dëmet që janë shkaktuar, shtetit si tërësi, personave por edhe ekonomisë. “Ekipit iu drejtua Kryeministri në detyrë z.Kurti dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë znj. Haxhiu, të cilët e bënë hapjen zyrtare të takimit të parë. Në takim, kjo nismë u përshëndet njëzëri dhe u tha që është momenti i fundit që të bëhej një gjë e tillë, e cila do të duhej të shërbente si ombrellë për të gjitha nismat e ngjashme që janë bërë deri tash. U theksua gjithashtu nevoja e vendosjes së bazave të forta për krijimin e Institutit. Në momentin që bazat i vendosim të forta, atëherë u tha se puna e institutit, i cili do të themelohet më vonë, do të jetë shumë më e lehtë. Si i tillë, ai duhet të ketë një buxhet të caktuar që do të mund të siguronte një punë të vazhdueshme për njerëzit që do të ishin pjesë e tij, e të cilët duhet të jenë ekspertë të fushës, si dhe një buxhet që do të mund të siguronte hulumtues në terren më vonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Fjalimi i plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Mirëdita të gjithëve,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar anëtarë të ekipit punues,
E kam kënaqësinë që sot t’ju uroj mirëseardhje në takimin e parë të punës të këtij ekipi punues. Ky ekip është formuar me qëllim të përgatitjes së analizës për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës.
Besoj e keni vërejtur menjëherë që emri i Institutit të cilit i referohemi nuk është “Instituti për krime lufte” por Instituti për krime të kryera gjatë luftës. Kjo për shkak se konsiderojmë që është e rëndësishme që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm që adresimi i krimeve të kryera në Kosovë nuk ka qenë sukses më vete. Nuk ka shumë arritje me të cilat mund të mburremi. Nuk mund të themi se është bërë punë e mirë në këtë drejtim.
Askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 21 vite. Ka me qenë e vështirë. Shumë e vështirë.
Njerëzit janë të lodhur. Viktimat kanë humbur besimin në sistem. Gjeneratat besa po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kanoset e nuk guxojmë të lejojmë të ndodh. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kemi më shumë se 13.000 persona të vrarë gjatë luftës së fundit.
Mijëra persona të përdhunuar.
Mijëra të burgosur e të torturuar.
Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur.
Edhe sot, 21 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar Kosovës.
E situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak si duhet për këto vite.
Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që të fillojmë punën me një ekip që do të merret ekskluzivisht me përgatitjen e analizës se cila do të ishte mënyra më e mirë për të proceduar me themelimin e Institutit.
Instituti nuk duhet të themelohet me vendim e pa strategji operacionale.
Instituti nuk duhet të jetë nën mëshirën e donacioneve që mund të vijnë apo të mos vijnë.
Instituti duhet të ketë linjën e vetë buxhetore.
Duhet të ketë ekspertë të fushës.
Të jetë në koordinim me institutet e tjera në rajon e po ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Instituti duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses.
Ne nuk dëshirojmë që të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta. Dëshirojmë që duke marrë parasysh punën e deritanishme, të shkojmë një hap më tutje. Të shohim ku janë zbrazëtirat që janë lënë dhe t’i plotësojmë ato.
Jemi me fat që në mesin tonë kemi njohës shumë të mirë të fushës të cilët përveç punës së tyre personale në këtë fushë, sjellin edhe kontaktet ndërkombëtare që kanë në drejtësinë tranzicionale.
Mes nesh kemi profesorin e nderuar Ismet Salihun i cili ka qenë pjesë edhe e Institutit të kaluar, e ka ekspertizë të bujshme në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare.
Kemi kryesuese të grupit këshilltaren time Furtuna Sheremetin e cila ka ardhur nga Belgjika ku edhe është në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e dëmeve të shkaktuara nga krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit. Puna e Furtunës shtrihet jo veç në dëmin material, por gjithashtu atë emocional e psikologjik. Ajo gjithashtu ka kryer studime empirike në lidhje me dëmet që i janë shkaktuar bizneseve dhe ambientit në Kosovë si rezultat i luftës.
Kemi mes nesh znj. Nora Visoka – Weller e cila është avokate dhe studiuese e trashëgimisë kulturore në Universitetin e Cambridge. Nora sjell ekspertizën e saj mbi trashëgiminë atrocitare në Kosovë i cili studim trajton statusin e të mbeturave njerëzore nga lufta e fundit në Kosovë.
Kemi përfaqësues nga Arkivat e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave që konsideroj që mund të jenë aset i rëndësishëm për ekipin.
Kemi përfaqësues nga Universiteti që mendoj që është thelbësore për funksionimin e duhur të Institutit, sepse lidhja përfundimtare e Institutit duhet të jetë me akademinë.
Kemi përfaqësues nga komisionet shtetërore, shoqatat, organizatat joqeveritare të cilët do ta pasurojnë punën e ekipit. Por gjithashtu kemi pikën 2 të vendimit i cili na dëshmon që s’jemi të pagabueshëm dhe në rast se kemi harruar dikë që mund të jetë aset i ekipit, ta plotësojmë ekipin në vazhdimësi.
Qëllimi i këtij ekipi është që të përgatisë një hartë pune përmes së cilës pastaj themelimi i Institutit do të ishte më i lehtë dhe mbarëvajtja e tij do të ishte e suksesshme.
Në fund, qëllimi i të gjithë neve besoj që është i përbashkët, e ka të bëjë me krijimin e memories kolektive, e cila nuk do të na shërbejë veç neve, por edhe gjithë gjeneratave të ardhshme.
Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është që paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës meritojnë të dyja. (A. M / Epoka e re).