Mbahet takimi i radhës i grupit punues për tregun energjetik Kosovë-Shqipëri
Është mbajtur takimi i radhës i grupit punues për integrimin e tregut energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë takim ishin të pranishëm zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, Dorina Çinari, zëvendësministre e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, përfaqësues nga USAID-i dhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë si dhe anëtaret e grupeve të përbashkëta teknike.
Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, ka kërkuar që nga ky takim të identifikohen barrierat të cilat po e stagnojnë këtë bashkim të tregut. “Mendoj që është shumë e rëndësishme të identifikohen barrierat në këtë iniciativë të përbashkët në mënyrë që ky proces të ecën me dinamik të përshpejtuar”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Zariqi ka përshëndetur aktin e themelimit të Bursës së Energjisë të aprovuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë më 15 maj, dhe ka kërkuar që operacionalizimi i Bursës të përfundojë brenda këtij viti. “Së fundmi Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka aprovuar aktin për themelimin e Bursës së Energjisë, mendoj se ky është një element kyç që ky proces të marrë një dimension të ri. Për atë them se ky momentum i ri duhet t’i dinamizojë hapat, që faza e parë e këtij procesi që është themelimi i tregut një ditë para të përfundojë brenda këtij viti kalendarik”, ka thënë Zariqi.
Gjatë këtij takimi frytdhënës, grupi punues ka diskutuar në detaje rreth ngecjeve dhe ndryshimeve të mundshme legale dhe teknike të cilat do të mund të jetësonin bashkimin e tregut energjetik Kosovë-Shqipëri.
Aty u vendosen edhe detyrat të cilat duhet të përfundohen deri në takimin e radhës në kuadër të planit të përbashkët.
Të dyja palët vlerësuan që asistenca teknike nga USAID-i në këtë proces mbetet shumë e rëndësishme dhe falënderuan projektet përkatëse për mbështetjen e dhënë në këtë proces.
Të gjithë u pajtuan se ky integrim bilateral është hapi i parë drejt integrimit rajonal, obligim ky edhe në kuadër të procesit të integrimit vendeve të Ballkanit Perëndimor.