Mbahet takimi i sigurisë lokale në Suharekë, java pa vjedhje
Është mbajtur takimi i rregullt javor për koordinim lokal të sigurisë në Komunën e Suharekës, ku të pranishëm ishin nënkryetarja e komunës Mihrije Suka, kryesuese e takimit, përfaqësuesi i policisë, përfaqësuesi i zyrës për informim, përfaqësuesi nga OSBE-ja dhe nga KFOR-LMT.
Nënkryetarja e komunës Mihrije Suka ka folur për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë javës në këtë komunë, ku ka numëruar të gjitha takimet dhe ngjarjet duke dhënë nga një shpjegim të shkurtër për të gjitha ato që kanë ndodhur dhe ka specifikuar akademinë përkujtimore për ish-kryetarin e komunës Ukë Bytyqi dhe diskutimet publike për legalizimin e objekteve, që po mbahen nëpër fshatra.
Ndërsa, komandanti i policisë, Milazim Lumi, ka raportuar për situatën e sigurisë në nivel komunal ku ka thënë se java ka qenë shumë e qetë, dhe ka numëruar disa raste siç janë: dy aksidente trafiku, një lëndim trupor, një kanosje dhe 178 tiketa gjobe trafiku dhe pesë ligjërata të mbajtura në shkolla për dhunën në familje.
Nga OSBE-ja, Salih Elshani ka njoftuar se janë duke punuar në aktivitete për aspektet buxhetore, auditimet dhe përgatitje të punëtorive të ndryshme.
Dhe në fund nga LMT-KFOR, është deklaruar se janë duke punuar në aktivitetet e tyre të përditshme dhe kanë njoftuar se kanë bërë vizita në disa ambulanca nëpër fshatra.
/Epoka e re/