Mbahet takimi koordinues për zgjedhjet e 6 tetorit
Është mbajtur takimi koordinues në mes të institucioneve të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor.
Pjesë nënshkruese të këtij memorandumi janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me përgatitjet e institucioneve, bashkëpunimi dhe bashkërenditja e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëdijesimi për parandalimin e manipulimeve të mundshme, si dhe roli i shoqërisë civile në këtë proces zgjedhor.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonal, dhe do të angazhoj një numër të konsiderueshëm të prokurorëve, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, si dhe ka potencuar se në rastet ku paraqiten problemet eventuale, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave dhe Ligjit.
Ndërsa përfaqësues të institucioneve tjera, kanë prezantuar planet e tyre lidhur me angazhimet e tyre, si dhe kanë deklaruar se të gjithë janë duke u marr me aktivitete të ndryshme, në bazë të kompetencave që ka secili institucion përkatës.
Po ashtu, nga të pranishmit është theksuar se vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e manipulimeve të mundshme të zgjedhjeve është mese i rëndësishëm, pasi që në rastet ku mund të ketë pretendime për keqpërdorime të votave, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të veprojnë menjëherë.
Gjithashtu, të pranishmit janë pajtuar që t’i bëhet ftesë të gjitha organizatave joqeveritare, shoqërisë civile dhe medieve që të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e lartcekura, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Ky takim është organizuar nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D).
/Epoka e re/