Mbahet takimi kulturor “Rrëfim për Adem Demaçin”
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt takim kulturor për simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, me këtë rast u përurua “Libri i burgosur-gjarpinjtë e gjakut”, të autorit Selatin Novosella.
Fillimisht para të pranishmëve, rektori prof. dr. Bajram Kosumi në fjalën e tij ka thënë se Adem Demaçin ka qenë vizioni ynë për liri.
Ai e ka rikujtuar se, brezi i 81-shes e ka krijuar mitin për Ademin, sepse për 40 vjet rresht e ka mbajtur të ndezur flakën e lirisë së Kosovës dhe ne të tjerët jemi ngrohë nga ajo flakë për të ecur përpara.
Sipas rektorit Kosumi, simbolit te qiriut të Naim Frashërit i përgjigjet më së miri Adem Demaçi.
Për të rrëfyer për veprimtarinë kombëtare dhe kulturore të Adem Demaçit, folës kryesor ishte Selatin Novosella, bashkëveprimtar i tij.
Ai ka thënë se duke e njohur nga afër rrugën e jashtëzakonshme jetësore të Bacës Adem Demaçi, nga njëra anë, duke e pasur parasysh tërë bagazhin e madh të shkrimeve të Bacës, nga ana e dytë dhe, nga ana e tretë, duke e pasur parasysh krejt atë që është thënë për Bacën, ai ishte dhe do të mbetet simbol i bashkimit, simbol i lirisë, simbol i qëndresës, simbol i guximit, simbol i vetëflijimit, simbol i sakrificës, simbol i durimit, simbol i fitores, simbol i besimit, simbol i ngadhënjimit, simbol i shpresës, simbol i krenarisë, simbol i shpëtimit etj.
Ndërsa për librin “Libri i burgosur-gjarpinjtë e gjakut”, autori, Novosella tha se ky libër ka grumbullime të 36 recensioneve për Adem Demaçin dhe se ka zgjatur prej vitit 1994.
“Këtë libër nuk e kam shkruar dhe përgatitur për një vit, dy, apo tri, por kjo ka zgjat që nga viti 1994. Gjatë hulumtimeve, çdo shkrim që ka pasur të bëjë me gjarpërinjtë e gjakut e kam ndarë anash në një dosje të veçantë dhe për kënaqësinë time sot i kemi 36 recensione. Jam i sigurt, shumë i sigurt se ky libër, të grumbulluar me një vend ku përmenden disa emra, një prej recensioneve më të arritura është i mikut tonë, i cili padrejtësisht sot me shokët e tij, liderët e luftës dhe të paqes, (po mbahen në Hagë), është recensioni i Jakup Krasniqit”, tha ai.
Edhe recensenti i librit “Libri i burgosur-gjarpinjtë e gjakut”, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, njëherësh Dekan në Fakultetin e Edukimit në UKZ, tha se prej gjashtë dekadash, romani dhe autori i tij, Adem Demaçi, gjysmën e kësaj kohe e kanë bërë në ilegalitet, në burgje. Sikur mos të mjaftonte kjo, të ndërlidhur me autorin dhe veprën, një fat të tillë për shumë vjet e patën edhe përkrahësit politikë të autorit, si dhe lexuesit e perceptuesit e veprës së tij.
Fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Adem Demaçit, kanë shprehur edhe të pranishmit që ishin të shumtë.
Për kontribut në studimet për rolin e Adem Demaçit në historinë dhe në kulturën shqiptare, rektori prof. dr. Bajram Kosumi i ka dhënë mirënjohje Selatin Novosellës.