Mbahet takimi MBPZhR-KE, bujqësia do të jetë prioritet strategjik
Në kuadër të takimeve të rregullta të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian, të enjten është mbajtur takimi i tyre i dytë sektorial mes përfaqësuesve të KE-së, përkatësisht Nënkomitetit të MSA-së për Bujqësi, Sigurisë Ushqimore dhe Peshkatari dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në këtë takim i cili mbahet në kuadër të kornizës së Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), sekretari i përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka thënë se bujqësia është një prej sektorëve kyç në ekonominë e vendin.
“Qeveria e Kosovës e ka vendosur bujqësinë si prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar të vendit, e cila zë vend të rëndësishëm në planin e politikave ekonomike evropiane. Ne si institucion kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjeturat e vitit të kaluar t’i adresojmë në planin tonë vjetor të punës. Këtë vit jemi fokusuar në hartimin e legjislacionit, në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së, si dhe jemi munduar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të institucionit tonë, pasi që niveli i kënaqshëm i kompetencës së tyre do të sjellë edhe produktivitet dhe cilësi në vazhdën e punës”, ka thënë Halimi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e KE-së, njëherësh edhe zëvendësshefe e Fqinjësisë Evropiane në Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Mary Teresa, u shpreh e kënaqur lidhur me raportin dhe detajet e përfshira në të dhe në të gjitha përpjekjet e zyrtarëve të MBPZhR-së për të arritur sukses në rekomandimet e vitit paraprak.
Tema e parë e cila u përzgjedh si prioritet i diskutimit në këtë takim ishte tema rreth sigurisë ushqimore në vend.