Mbahet takimi për sundim të ligjit, Haradinaj kërkon përkushtim në sistemin e drejtësisë
Nën kryesimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur takimi i radhës i Nivelit të lartë të Sundimit të rendit dhe ligjit, në të cilën janë prezantuar të arriturat e fundit, nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, është diskutuar për rastet e shënjestruara, gjendja e zbatimit të tyre, hapat e ndërmarrë dhe sfidat, mosndëshkueshmëria dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka përshëndetur çdo të arritur në vendin tonë, duke thënë se është koha e duhur të korrektojë secili vetveten, në mënyrë që rendi dhe ligji të jetë më efikas dhe në mënyrë që qytetarët tanë të rrisin besimin në rend dhe ligj.
Më tej, kryeministri Haradinaj ka theksuar se secili nga pjesa e vet e përgjegjësisë duhet të mendojë në realizimin e objektivave të përcaktuara, për përmirësimin e gjendjes në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit, që sipas kryeministrit Haradinaj është edhe kërkesë e vazhdueshme e miqve të Kosovës.
“Të arrijmë rezultate nga puna jonë e përbashkët. Qasja e ballafaqimit duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne, në përmirësimin e gjendjes për të mirën tonë. Të vetëdijshëm se kemi ende punë për të bërë, për të dëshmuar sa duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor, në etapën para nesh sistemi i drejtësisë duhet të ketë synim parësor përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara dhe të luftojë me efikasitet mosndëshkueshmërinë”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Republikën e Kosovës, Philip Kosnett, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, dhe përfaqësues të tjerë institucional.
/Epoka e re/