Mbahet takimi vjetor i Grupit të Përbashkët Punues Kosovë – Këshill i Evropës
Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Këshillit të Evropës, të martën është mbajtur takimi i rregullt vjetor i Grupit të Përbashkët Punues.
Punimet i hapi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se ky takim është i një rëndësie të veçantë, pasi është i pari takim pasi aplikimi i Kosovës u votua suksesshëm në Komitetin e Ministrave dhe u dërgua për opinion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Para Grupit të Përbashkët Punues, zëvendësministri Ahmeti tha se procesi i aplikimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dëshmon përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të vendit për përmirësim në të gjitha shtyllat vitale të demokracisë dhe veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe lirisë së medieve.
Zëvendësministri Ahmeti ka shprehur vlerësimin e institucioneve të Kosovës për Këshillin e Evropës dhe për arritjet që kanë rezultuar nga ky Grup i Përbashkët Punues, që nga takimi i parë që u realizua në vitin 2013.
Zëvendësministri Ahmeti ka përmendur gjithashtu arritjet që Kosova ka shënuar në dy vitet e fundit, duke u renditur e para në Evropë dhe e dyta globalisht në përmirësimin e sundimit të ligjit, përmirësimin për 20 pozita në renditjen e Transparency International për luftimin e korrupsionit, ngritja për 23 vende në Indeksin e Lirisë së Medieve dhe të tjera.
Ndërsa, drejtori për Koordinim të Programeve të Këshillit të Evropës, Claus Neukrich, në fjalën e tij ka përmendur bashkëpunimin e mirë që ka Këshilli i Evropës me institucionet e Kosovës dhe Zyrën e BE-së në realizimin e projekteve të përbashkëta në sektorin e drejtësisë, arsimit, luftës kundër korrupsion, krimeve kibernetike dhe fusha të tjera me rëndësi.
Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen me qëllimin që të kemi sugjerime për vitin e ardhshëm sa i përket bashkëpunimit në mes të Këshillit Evropian dhe partnerëve në Kosovë.
Takimi i Grupit të Përbashkët Punues është i tetëmbëdhjeti me radhë, ndërsa i pari që prej kur Republika e Kosovës ka filluar procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.