Mbahet trajnimi me personelin shëndetësor të urgjencave të nivelit shëndetësor parësor të Prishtinës

10 nëntor 2023 | 12:06

Në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë u organizua trajnimi i parë me personelin shëndetësor të urgjencave të nivelit shëndetësor parësor të kryeqytetit, në kuadër të fushatës për ngritjen e gatishmërisë profesionale të shërbimeve urgjente mobile të Prishtinës për bartjen e pacientëve të cilët dyshohen se kanë pësuar infarkt iskemik akut trunor deri te Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), në mënyrë që të realizohet ndërhyrja mjekësore e shpejtë për trajtimin e infarktit akut dhe minimizimit të pasojave të tij.

Terapia trombolitike intravenoze dhe trombektomia mekanike janë dy mundësi të arta që aplikohen brenda dritares kohore të përshtatshme të pacientët që pësojnë infarkt iskemik akut.

Kushti i parë i përfitimit nga terapia është që pacientët me këtë diagnozë të paraqiten, përkatësisht të sillen me kohë në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.

Ngase, aplikimi i terapisë trombolitike intravenoze është i mundshëm nëse realizohet brenda 4.5 orëve nga çasti i paraqitjes së simptomave, kurse aplikimi i trombektomisë mekanike, sipas rastit, mund të zbatohet brenda 24 orëve të para.

Në këtë kontekst, njohja në vend të ngjarjes e simptomave të infarktit akut, transportimi sa më i shpejtë në qendrën spitalore dhe diagnostikimi rapid i mëtejmë shkurtojnë kohën deri te fillimi i terapisë dhe ky shkurtim në kohën e fillimit të terapisë është jetik për pacientët me infarkt në tru.

Në kuadër të trajnimit të parë, personeli shëndetësor i urgjencave të kryeqytetit u informua nga ass. dr. Fisnik Jashari (koordinatori i projektit kombëtar për Stroke) për rëndësinë e krijimit të vijës së veçantë me të cilën pacientët do të tejkalojnë barrierën e vonesave infrastrukturore dhe kohore në Qendrën Emergjente dhe për detajet e mekanizmit me të cilin synohet që pacientët me infarkt iskemik akut të mbërrijnë deri te terapia brenda disa minutash.

Ndërkaq, ass. dr. Blerim Myftiu paraqiti rastet e përzgjedhura nga përvoja e deritanishme e terapisë trombolitike në Klinikën e Neurologjisë dhe dobinë që rastet e caktuara kanë fituar nga aplikimi i terapisë.

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, dr. Edmond Komoni, theksoi se Klinika e Neurologjisë është e gatshme për vëllimin e shtuar të punës dhe se zgjerimi i kapaciteteve të Klinikës për trajtimin e infarktit akut të trurit është elementi shtesë në kuadër të shumë projekteve që zbatohen dhe do të zbatohen në të ardhmen në këtë Klinikë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka mbajtur takim konsultativ të nivelit të…