Mbahet trajnimi për bizneset e sektorit të bujqësisë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën Hungareze në Kosovë kanë organizuar trajnim për bizneset e sektorit të bujqësisë në vend.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte informimi i bizneseve anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë lidhur me drejtimet e zhvillimit në Bashkimin Evropian, sëmundjet kritike të bimëve në disa kultura të përzgjedhura përfshirë produktet si luledielli e misri, e po ashtu u paraqitën mundësitë e financimit të BE-së në Kosovë për kulturat bujqësore dhe më gjerë.
Hapja e takimit është bërë nga drejtoresha e Dhomës së Tregtisë, Zana Beqiri, e cila ka falënderuar Ambasadën Hungareze për përkrahjen në ndihmë të bizneseve kosovare.
Ndërsa në një fjalim rasti, anëtari i Bordit i DHTIK-së, Hamdi Malushaj, ka theksuar se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kënaqësinë që në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë po ofron edhe një trajnim të denjët për bizneset anëtare të Dhomës, nga i cili do të kenë mundësinë të përfitojnë njohuri profesionale si dhe të informohen nga afër për mundësitë e përfitimeve financiare nga Bashkimi Evropian.
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, ka potencuar faktin se kompanitë e universitetet hungareze dhe kosovare kanë një marrëdhënie të gjatë në fushën e bujqësisë.
Bozsik ka thënë se Hungaria kontribuon në garantimin e sigurisë së Kosovës dhe promovon qasjen e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në këtë trajnim për të njoftuar të pranishmit lidhur me drejtimet e zhvillimit në BE, sëmundjet e produkteve bujqësore si dhe fondeve të përcaktuara nga BE për sektorin e bujqësisë, ishin të pranishëm bashkëpunëtorë kërkimorë nga Universiteti i Hungarisë, Fakulteti i Hortikulturës dhe Shkencave të Jetës (MATE) si Gabor Kollanyi, Arbnora Berisha dhe Monika Kocsis- Kiss.
Po ashtu interesimi i bizneseve për të qenë pjesë e këtij trajnimi ishte i lartë.