Mbajtën grevë për mosdaljen e pagave të korrikut, kombinati Trepça ndëshkon 151 minatorë
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv i Trepçës, Enis Abdurrahmani ka bërë me dije se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, kombinati ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë subvencioneve nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Abdurrahmanit, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë për t’u shndërruar në ndërmarrje profitabile.
Ai ka treguar se 151 punëtorë kanë bojkotuar punën, pasi kishin mbajtur grevë për mosekzekutimin e pagave për muajin korrik, ku për këta masa financiare do të jetë 176 euro për një punëtor për katër ditë bojkot. “Borxhet e trashëguara janë mbi 20 milionë. Ne kemi arritur në kategori të caktuara t’i reduktojmë dhe zvogëlojmë këto borxhe, këto detyrime të ndërmarrjes. Kemi arritur të zvogëlojmë detyrimet nga kategoria e borxheve që i kemi ndaj ATK-së, mbi 4.2 milionë, i kemi zvogëluar borxhet ndaj operatorëve ekonomikë kontraktuesve mbi 2.5 milionë, kemi arritur t’i reduktojmë borxhet dhe obligimet ndaj KESKO-s dhe KEK-ut”, ka thënë Abdurrahmani për “KosovaPress”.
Si rezultat i kësaj, shtoi ai, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.
“Trepça gjatë këtyre dy viteve ka pasur progres të madh, ka bërë kthesa të mëdha nga një ndërmarrje pothuajse e falimentuar me mbi 20 milionë borxhe, kemi arritur si menaxhment, por edhe si bord, falë angazhimit të ministres së Ekonomisë të rikthejmë ndërmarrjen në trasenë e rentabilitetit. Si rezultat i kësaj kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen, meqë ndërmarrja ka trashëguar borxhe dhe obligime nga menaxhmentet e kaluara”, shtoi ai.
Abdurrahmani potencoi se Trepça ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.