Mbajtja e maskës, Rama: Po të ishte kot, s’do e vendoste e gjithë bota
Policia kontrollin do ta nis nga Parlamenti i Shqipërisë. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, teksa ka prezantuar platformën “Deputeti që duam”, në kohën kur në Shqipëri ka hyrë në fuqi rregulli i ri anti-Covid, ai i mbajtjes së maskës jo vetëm brenda ambienteve të mbyllura.
Ai ka thënë se po të ishte kot, maskën s’do ta vendoste e gjithë bota.
“S’duhet ta vëmë këtë maskën me idenë se do marrim gjobë. I kam kërkuar Policisë së Shtetit që të jetë e vëmendshme dhe vëmendjen ta ketë fillojë Parlamenti i Shqipërisë, nga institucionet qendrore. Teorikisht duhet të jetë e vështirë. Nuk është e mundur që policia të më ndalojë makinën mua e të më shoh nëse e kam mbajtur apo jo maskën. Unë sot e kam mbajtur maskën. Gjermania sot mesa pashë e vuri në mjediset publike. Para disa ditësh s’pashë maskë asgjëkundi jashtë. Ndërkohë që brenda po. Në Austri as brenda as jashtë. Të gjithë po e mbajnë tani. Se pashë nëpër media, qytetarët që thoshin që; “kemi frikë nga gjoba se maska kot është”. Po të ishte kot nuk do e vinte gjithë bota, se mirë diktatura gjakatare në Shqipëri po imponon maskën që t’u mbyllë gojën shpirtrave të lirë që të mos flasin”, është shprehur Rama, duke paralajmëruar gjoba për ata që nuk bartin maskë.
“Kjo është një betejë jashtëzakonisht e komplikuar, një luftë pavarësisht se disave nuk u pëlqen përdorim i këtij termi, është luftë e gjatë, nervash dhe për hir të vërtetës sjellja e shumicës së shqiptarëve ka qenë shumë pozitive, sot mbresëlënëse, mbajtja e maskave, është 99 për qind me një sy të parë, ndërkohë që gjobat që janë vënë janë amnistuar në një moment të caktuar për të dhënë edhe një mesazh tjetër që këtu nuk është çështja e frikës. Është çështja ta kuptojmë mirë që duhet të gjithë të kontribuojmë, nga ana tjetër për hir të vërtetës në faljen që bëmë vlerësuam edhe një fakt tjetër, ata të cilët nuk kishin paguar ende apo ende kishin makina të bllokuara, prej shkeljes së rregullave meritonin një mirëkuptim pasi sidoqoftë një periudhë jo e shkurtër kaloi dhe për sa u përket gjobave tani sigurisht që s’është dëshira të vëmë gjoba. Ju e dini që unë me gjobën kam një raport shumë strikt, asnjëherë se kuptoj që thonë se gjobat janë të larta, për mua duhet të jenë shumë më të larta, s’është taksë, është ndëshkim për diçka që ti ke në dorë të mos e bësh”, ka deklaruar Rama.