Mbappe dhe PSG-ja, afër ‘divorcit’
Lajmi që Kylian Mbappe i ka komunikuar klubit të PSG-së që nuk do të aktivizojë rinovimin automatik të tij edhe për një sezon tjetër siç e parashikon kontrata aktuale, ka bërë shumë zhurmë dhe tashmë duket si një betejë e rihapur mes dy palëve.
PSG-ja ia bëri të qartë francezit që nëse ai nuk aktivizon rinovimin automatik deri më 1 gusht, atëherë ai do të jetë menjëherë në merkaton e verës, për të pritur oferta rreth tij, pasi normalisht klubi francez nuk mund të humbasë kurrsesi një lojtar si ai me parametra zero.
Nëse kjo gjë ndodh, pra nëse Mbappe del në merkato, padyshim që klubi i parë që do të futej në garë do të ishte pikërisht Real Madrid.
“Los Blancos” kanë kohë që e kanë dashur në ekip francezin, sidomos verën e kaluar ishin shumë pranë transferimit të tij, por gjërat morën tjetër ujëra në çastet e fundit. Megjithatë, nuk dihet nëse Real Madrid do ta tentonte transferimin e Mbappes, pasi tashmë ata sapo kanë mbyllur një transferim të kushtueshëm, atë të Jude Bellingham nga Dortumund. Një tjetër rrugë alternative mund të jetë Premier Ligë, me Liverpool dhe Manchester United të cilët kanë qenë shumë të përfshirë në rastin e tij në vitet e mëparshme dhe do ta bënin këtë gjë përsëri.
Ndoshta Liverpooli jo, pasi ata janë të fokusuar në radhë të parë në rikonstruksionimin e mesfushës. Unitedi mund ta bënte një tentativë, por gjithmonë nëse në krye të klubit do të vinte sheiku i cili po tenton të blejë klubin nga familja Glazers, dhe Mbappe mund të ishte goditja e tij e parë në merkato e cila do të mbahej mend shumë gjatë. Nga ana tjetër, në sfond ndodhet edhe Chelsea me Manchester City. Nëse PSG-ja në fund vendos në vitrinë Mbappen, atëherë me siguri do të kërkojnë shumën më të lartë të mundshme, të paktën për të barazuar çmimin që e blenë në vitin 2018 nga Monaco, për 180 milionë euro.