Mbappe: Gjithmonë kam dëshiruar të vesh fanellën e Realit

07 prill 2025 | 16:41

Sulmuesi Kylian Mbappe po luan sezonin e parë në Madrid, teksa po përshtatet menjëherë me Realin. Në një intervistë për “La Sexta”, ai nuk heziton ta cilësojë si një ëndërr faktin që luan me gjigandët spanjoll.

“Çdo ditë jetoj një ëndërr, që luaj këtu. Zidane ishte idhulli im, e kam filluar futbollin falë tij. Ky klub ka një aurë që të tjerët nuk e kanë. Është më i miri në botë. Që kur erdhi Cristiano këtu, e kam ndjekur çdo ndeshje të Real Madridit. Ai ishte idhulli im tjetër. E kisha këtë ëndërr qysh fëmijë, që të luaja në ‘Bernabeu’, e cila tani është bërë realitet. Edhe të jetosh këtu më pëlqen. Njerëzit janë shumë të hapur, ndjej dashurinë e tyre. Më pëlqen ushqimi, sidomos proshuta”.

Marrëdhënia me Florentino Perez: “Kam një marrëdhënie të mirë me presidentin. Kur i thashë që do të qëndroja në Paris, një vit më parë, edhe ai ishte në anën time. Shifrat e pagës sime? Ka shumë gjëra të vërteta që thuhen dhe të tjera të rreme. Nuk kam problem të flas për paratë. Doja vetëm të luaja këtu, me këtë fanellë, të shënoja gola dhe njerëzit të thërrisnin emrin tim. Gjëja më e rëndësishme është të jesh i lumtur, jo paratë që fiton”.

Për tema si racizmi dhe shëndeti mendor: “Racizmi është pjesë e jetës, jo vetëm e futbollit. Duhet ta ndalim, duhet të veprojmë. Lojtarët e mbështesin njëri-tjetrin më shumë se më parë, por nuk mjafton. E jap mendimin tim për këtë problem dhe nuk kam frikë. Para se të jem futbollist, jam një njeri i zakonshëm dhe i shoh gjërat që ndodhin në jetë. Shëndeti mendor? Njoh njerëz dhe shokë skuadre që kanë vuajtur nga depresioni. Tani njerëzit nuk kanë më frikë të flasin për këto gjëra, çka është gjë e mirë. Edhe unë kam prekur fundin në mënyrë sportive, jo mendërisht. Kam shumë respekt për këtë problem”.

Për mbërritjen në Madrid: “Ditën e prezantimit, minutat në tunel ishin më të gjatat e jetës sime. 80.000 njerëz më prisnin. Të gjithë lojtarët më pritën mirë, më dërguan mesazhe… Ancelotti është pak nga të gjitha: di kur të jetë baba, mik, shef… Ka bërë histori këtu dhe dëshiron të vazhdojë. Vinicius? Nuk mund ta imagjinoj Real Madridin pa Vini. Luajmë mirë bashkë dhe do ta ndihmojmë skuadrën”.

Për momentin më të mirë në ‘Bernabeu’: “Jam një fans i herëve të para, do të ndalem te goli i pare me këtë fanellë. Edhe tripleta ndaj City…, njerëzit i duan netët e Ligës së Kampionëve. Champions apo ‘Topi i Artë’? Të fitosh një Champions League me klubin më të mirë në botë është të fitosh titullin më të rëndësishëm dhe të bësh histori këtu. ‘Topi i Artë’ është një nderim individual. Unë zgjedh Champions League. Dua të fitoj tituj me Real Madridin, të lë gjurmë në një epokë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë…