Mbappe: Krahasimi me Pelen është i tepërt
Sulmuesi Kylian Mbappe është në gjurmët e emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit. Mbappe shënoi më shumë se një herë në Botërorin e Rusisë, madje e gjeti rrjetën në finale, duke përsëritur skenarin e realizuar më parë nga ikona Pele në moshën 17-vjeçare. Këtë sukses Pele e përsëriti më pas edhe dy herë të tjera.
Gjithsesi, sot 20-vjeçari Mbappe ka ende shanse që të luajë edhe në tri kupa të tjera të Botës me Francën e tij. Mbappe dhe Pele u takuan në Paris, ku legjenda braziliane, tashmë 78 vjeç, ka thënë se “ylli” në ngjitje francez mund ta arrijë rekordin e tij të golave. “Pa diskutim që Mbappe ka aftësinë të shënojë 1 000 gola. Unë realizova 1 025 në karrierë dhe ai mund ta bëjë diçka të tillë. Nuk e njihja Mbappenë, por kur njerëzit me thoshin se ai është ‘Pele i ri’, sigurisht se ishte një kënaqësi shumë e madhe. I uroj shumë fat jo vetëm si lojtar, por edhe me shokët e skuadrës. Duhet fat edhe që të kesh një skuadër të mirë në krahë”, ka deklaruar Pele.
Mbappe, i cili ka shënuar 32 gola në të gjitha kompeticionet deri më tani, u shpreh se ndihej shumë i lumtur nga prania dhe takimi me Pelen dhe nga krahasimi që i bëjnë me të. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam pranë tij. Është një takim që do të mbetet në kujtesën time. Ai është një legjendë e gjallë e futbollit. Mendoj se krahasimet me të janë të tepërta për mua, ka vetëm një mbret këtu dhe ai është ulur pranë meje. Jam thjesht Mbappe, po përpiqem të bëj më të mirën për veten, skuadrën dhe kombëtaren time”, ka deklaruar Mbappe.
Takimi i brezave të futbollit në Paris u mbyll me fjalën e Peles, i cili beson shumë te potenciali i Mbappesë. Ai tha se talenti francez është i destinuar për të bërë gjëra të mëdha dhe t’i fitojë të gjitha trofetë kolektive apo edhe ato individuale.