Mbappe reagon pas vrasjes së 17-vjeçarit në Nanterre: Ngushëllime familjarëve

28 qershor 2023 | 11:56

Një ngjarje tepër e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës në Nanterre të Francës, ku një polic goditi për vdekje me armë zjarri, një adoleshent 17-vjeçar, pasi ky i fundit nuk pranoi të ndalonte përballë një patrulle policie.

Pas këtij incidenti, trazirat filluan në periferi të Parisit, me demonstruesit që u vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe makinave, hodhën fishekzjarre në automjetet e urgjencës dhe ngritën barrikada në rrugë.
Për të shpërndarë turmën e acaruar, policia përdori gaz lotsjellës e plumba gome dhe deri më tani janë proceduar penalisht 15 persona, mirëpo protestuesit nuk kanë ndërmend të ndalojnë aktet e tyre në kryeqytetin francez.
Një koment të shkurtër, mbi këtë ngjarje tragjike e ka bërë dhe “ylli” i futbollit francez, Kylian Mbappe, i cili me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në “Twitter” ka ngushëlluar familjen e 17-vjeçarit për humbjen e saj, si dhe shton se i vjen keq për Francën e tij.

“Më vjen keq për Francën time. Ngjarje e papranueshme. Ngushëllimet e mia për familjen dhe njerëzit e dashur të Naelit, këtij engjëlli të vogël që u largua shumë shpejt”, ka shkruar në postimin e tij “ylli” francez.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Avni Klinaku Që nga përfundimi i luftës dhe çlirimi…