Mbappe, rrëfim ndryshe: Përvoja jetësore vlen më shumë se paratë
Kylian Mbappe ka dhënë një intervistë të gjatë për “Paris Match” këtë të enjte. “Lidhjet njerëzore janë shumë më magjepsëse se paratë”, shpjegon ylli i PSG-së dhe kombëtares franceze.
“Kam marrë mësime të dobishme në karrierën e deritanishme”. Ylli francez së shpejti do të mbushë 23 vjeç. “Është përvoja e jetës ajo që ka rëndësi, më shumë se të fitosh para, edhe nëse financat janë të rëndësishme, sepse kemi familje për të mbajtur. Unë jam i etur, mbi të gjitha, për zbulime, udhëtime, takime me lojtarë, kultura të ndryshme…”.
Sulmuesi nuk e përmend në intervistë transferimin e munguar të verës te Real Madridi apo të ardhmen e tij: “Ishte pak e vështirë në fillim të konsiderohesha një xhevahir… Fatmirësisht, prindërit e mi nuk më lanë të shpërqendrohesha nga shumat e parave. Dhe ata bënë mirë, ditën të edukojnë një fëmijë 14-vjeçar, pasi i kishin thënë se vlen miliona euro. Falë kësaj kam një marrëdhënie të qetë me paratë. E di që janë të rëndësishme, jam i lumtur që i kam, por kjo nuk është ajo që më shtyn çdo sekondë të ditës. Dua të mbetem njeri i përulur, pavarësisht statusit që kam tashmë si futbollist. Unë e vlerësoj shumë sinqeritetin”.
Në nivelin strikt sportiv, Kylian Mbappe nuk mendon se yjet e shumtë të PSG-së janë të dëmshëm për kohezionin e ekipit.
“Në grupin tonë kemi shumë yje dhe rezultati është aty. Ne po fitojmë tituj. Sigurisht, duhet të pranosh të bësh lëshime kur nuk je i vetmi yll, por nuk mendoj se kjo është një gjë e keqe, përkundrazi”, siguron lojtari që përbën “MNM” me Lionel Messin dhe Neymarin. I kurorëzuar kampion bote me Francën në vitin 2018, Mbappé beson se ka arritur “ëndrrën e tij më të madhe”: “Ta fitosh për herë të dytë radhazi Botërorin do të ishte e jashtëzakonshme!”.