Mbappe thyen heshtjen: Kërkova të largohesha nga PSG-ja
Kylian Mbappe ishte një nga emrat më të përfolur gjatë merkatos verore i cili u lidh me një kalim të vazhdueshëm te Real Madridi, por ekipi francez nuk e lejoi transferimin e tij, duke refuzuar tri oferta nga klubi madrilen.
Mbappe ka thyer më në fund heshtjen, duke e treguar situatën e cila ishte mes tij dhe PSG-së. Mbappe ka konfirmuar se ai kishte kërkuar të largohej nga klubi në mënyrë që klubi i tij të merrte një shumë për të dhe të gjente një pasues të tij. “Unë kërkova të largohesha [në korrik] sepse nga momenti që nuk doja të zgjasja, doja që klubi të merrte një tarifë transferimi për të pasur një zëvendësues cilësor”, ka thënë 22-vjeçari. “Doja diçka respektuese: thashë, nëse nuk doni që unë të largohem, do të qëndroj”, është shprehur Mbappe.
Francezi, ndër të tjera, ka theksuar se nuk është i vërtetë lajmi se kinse ai kishte refuzuar disa propozime për zgjatjen e kontratës, duke theksuar se klubi francez atij i ka dhënë shumë dhe është ende i lumtur te PSG-ja. “Unë kërkova të largohesha në korrik, por nuk është e vërtetë që kam refuzuar shtatë propozime për zgjatjen e kontratës. Paris Saint Germain më ka dhënë shumë. Unë kam qenë gjithmonë i lumtur në katër vjetët që kam kaluar këtu. Ende jam”, ka përfunduar sulmuesi francez në një intervistë për “RMC”.