Mbaron dëshminë Safete Hadergjonaj, thotë se ndjehet e shqetësuar që nuk iu dha mundësia të flasë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka mbaruar dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, e cila në fund ka thënë se ndjehet e shqetësuar qe nuk iu dha mundësia për të folur.
“Ndjehem e shqetësuar që nuk ma ke dhënë mundësinë me fol, por i kuptoj rregullat e gjyqit”, ka thënë Hadergjonaj.
Ajo ka filluar të fliste edhe për Pjetër Shalën, mirëpo fjala iu ndërpre nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë jam institucionaliste. Besoj në drejtësi dhe në ju panel i gjyqtarëve. Kam bindje që nuk do të dëgjoni as këtë palë, as këtë palë dhe do ta nxjerrin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe do ta thoni drejtësinë këtu. Nëse ka drejtësi në këtë gjykatë, ai burrë që nuk ia pashë fytyrën do të…”, ka thënë dëshmitarja.
Ndryshe, mbrojtja e Shalës nuk kishte raund tjetër të pyetjeve, ndërsa trupi gjykues nuk ka parashtruar pyetje për dëshmitaren.
Gjyqtarja Veldt-Foglia, ka thënë se pas pushimit të drekës do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së një dëshmitareje tjetër.