Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, na vjen keq për Serbinë
Gjatë intervistës së dhënë për mediet pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur edhe për kërkesën e Kosovës për në Këshillin e Evropës, duke shprehur hapur mbështetjen e tij.
“Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të pasur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën”, ka thënë Rama. /abcnews.al/