Mbështeti publikisht të drejtat e grave, gjykata iraniane dënon me 21 vite burg gazetaren!
Gjykata Revolucionare Islamike në perëndim të Iranit e ka dënuar gazetaren Zina Modares Gorji me 21 vjet burgim, për shkak se ajo i ka mbështetur publikisht të drejtat e grave.
Sipas REL, organizata kurde për të drejtat e njeriut, Kurdpa, raportoi se gjykatësi Mohammad Karami ia shqiptoi Gorjit një aktgjykim të kombinuar me burgim.
Ajo u dënua me 10 vjet burgim për “krijimin e një grupi të jashtëligjshëm, me qëllim për ta rrëzuar nga pushteti regjimin”, si dhe me 10 vjet të tjera burgim për “bashkëpunim me grupe dhe qeveri armiqësore”.
Gorji u dënua edhe me një vjet shtesë burgim për “propagandë kundër regjimit”. Sipas ligjit iranian, kur një i pandehur merr dënime të shumëfishta në rastin kundër tij, atëherë zbatohet dënimi më i gjatë, që nënkupton se ajo do t’i vuajë 10 vjet burgim. Megjithatë, gjykata tha se ajo duhet ta vuajë edhe një dënim me 10 vjet mërgim më pas.
Mbështetësit e saj thanë se ajo u njoftua për dënimin zyrtarisht më 23 maj dhe se ekipi i saj ligjor bëri ankesë ndaj aktvendimit të gjykatës.
Avokatët e saj kanë kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe e kanë sfiduar aktvendimin e gjykatës, duke e cilësuar si të ashpër dhe të nxitur politikisht.
Dënimi me mërgim, thonë analistët, tregon se sa larg janë në gjendje të shkojnë autoritetet iraniane për t’ua mbyllur gojën kundërshtuesve, pas trazirave gjithëkombëtare për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim policor, për gjoja shkeljen e ligjit të hixhabit, apo shamisë së kokës, në shtator 2022.
Gorji ishte arrestuar për herë të parë gjatë protestave të frymëzuara nga Amini. Pasi i kaloi 40 ditë në paraburgim, Gorji u lirua me kusht përkohësisht. Ajo u arrestua përsëri në prill 2023 dhe e kaloi rreth një muaj në qeli të mbyllur, para se të transferohej në një burg të përgjithshëm.
Muajin e kaluar, ajo njoftoi në Instagram se libraria e saj në Sanandaj u mbyll me forcë për disa ditë nga autoritetet vendore, sepse gjoja nuk i ishte përmbajtur ligjeve detyruese për hixhabin.