Mbështetja 20-vjeçare gjermane për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik
Rreth 18 500 shtetas të Kosovës gjatë vitit 2015 janë riatdhesuar në shtetet perëndimore. Papunësia e madhe në vend dhe moszhvillimi ekonomik ishin arsyet kryesore pse kishte ndodhur largimi masiv gjatë asaj periudhe.
E Stacioni i Autobusëve në Prishtinë ishte vendi më i frekuentuar në atë kohë. Por, shumë persona që ia mësynë rrugës së kurbetit janë kthyer të zhgënjyer në Kosovë, pasi atyre nuk u janë pranuar kërkesat për azil.
Në mesin e tyre është edhe Sadije Bekteshi nga Obiliqi. Ajo ka thënë se kishte marrë vendim që së bashku me vajzën dhe bashkëshortin e saj të nisen për në Gjermani për shkak të gjendjes ekonomike. Pas kthimit në Kosovë ajo ka thënë se ka vazhduar të mbajë trajnime për rrobaqepësi, zanat ky me të cilin ishte marrë edhe më herët.
Më pak se një vit nga koha që është kthyer në Kosovë ajo ishte përfituese e një granti në vlerë tre mijë euro nga GIZ-i gjerman, i cili e ka mbështetur edhe për hapjen e një biznesi të vogël. Sadija përveç që tashmë ka biznes të vet, ajo ka të punësuar dy punëtorë, ndërsa tre të tjerë mësojnë zanatin nga ajo. Ajo ka thënë se është kënaqësi që si biznes i vogël po u hap mundësi të rinjve në Obiliq për punësim.
Ndërsa Rahim Trepça, këshilltar në projektin “Dimak” në GIZ-in gjerman, ka thënë se Sadija nuk është i vetmi rast që ka përfituar nga GIZ-i. Në Prizren tash e sa kohë është hapur edhe Zyra e Informacionit për Turizëm, e cila operon si një partneritet publiko-privat ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe agjencisë private “Sharri Eco Tour”.
Në dy dekada bashkëpunim, partnerët gjermanë janë përkujdesur edhe për turizëm në Kosovë. Ata kanë ndihmuar në hapjen e kësaj zyre. Burrë e grua, si pronarë të kësaj zyre turistike, tashmë promovojnë bukuritë e qytetit historik, duke ofruar shëtitje në distanca të gjata dhe shëtitje me biçikletë malore përgjatë kufirit të përbashkët ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Në 20-vjetorin e bashkëpunimit Kosovë – Gjermani, Ambasada Gjermane në Prishtinë, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Kreditanstalt fur Wiederaufbau (KfW), kanë vendosur t’i nxjerrin në pah disa nga projektet më efektive të realizuara që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Sekretarja e parë Anja Becky ka treguar se cilat janë fushat në të cilat fokusohen për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Sipas saj, Kosova është e gatshme të bashkëpunojë dhe të jetë e përkushtuar për të bashkëfinancuar për të kontribuuar përmes burimeve që janë në dispozicion. Gjermania është ndër vendet që ka ndihmuar më së shumti rimëkëmbjen e shoqërisë së Kosovës që nga përfundimi i luftës.