Mbështetja e Putin për Kamala Harris, reagon Trump: Nuk e di nëse më ka bërë nder apo ofenduar!
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi të enjten se nuk është i sigurt se si duhet të reagojë ndaj komenteve të udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili shprehu mbështetje për Zëvendëspresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së në nëntor.
“Putin shprehu mbështetjen e tij për Kamala-n, dhe unë nuk e dija se si të reagoja. A duhej t’i telefonoja dhe t’i thosha, ‘Faleminderit shumë’? Nuk e di nëse kjo është një fyerje apo nëse më bëri një favor,” – tha Trump gjatë një interviste.
Këto deklarata u bënë pas komenteve të Putinit, i cili njoftoi në një forum ekonomik në Rusi se Rusia do të mbështeste Harris, pasi presidenti në detyrë Joe Biden ishte tërhequr nga gara. Putin theksoi se Biden kishte rekomanduar mbështetjen për Harris, dhe për këtë arsye, Rusia do të bënte të njëjtën gjë.
Putin gjithashtu bëri një shaka duke thënë se e qeshura e Harris ishte “infektuese”.
Nga ana tjetër, John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së reagoi duke thënë se: Putini duhet të ndalojë së foluri për zgjedhjet tona. Nuk duhet të favorizojë asnjë kandidat.