Mbështetje financiare e përjetshme për familjet e viktimave të tërmetit
Akti i parë i miratuar nga qeveria në këtë gjendje të jashtëzakonshme ku ndodhen rajonet e Tiranës, Durrësit, tanimë dhe Lezhës e Laçit, i takon familjeve ku tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi 51 vikitima.
Përveçse do të jenë të mbijetuarit e këtyre familjeve, do të jenë të parët që do të pajisen me shtëpi, ata do të marrin një trajtim financiar të përjetshëm që përfshijnë që nga bursat për nxënësit e studentët e deri tek pensionistët.
Në këtë projekt-akt të qeverisë janë veçuar me emër të përveçëm Lindita e Albër Cara që humbën të gjithë anëtarët e tjerë të familjeve të tyre.
Do të përfitojnë nga ky vendim për trajtim financiar dhe familjarët e dy qytetarëve nga Kosova që humbën jetën nga shembja e një hoteli në Durrës.
Të lënduarit që shkaktoi tërmeti ishin mbi 700, por aktualisht vetëm 41 po marrin trajtim mjekësor, 3 prej të cilëve jashtë vendit. Ndërkohë, vijon inventarizimi i dëmeve ku në Durrës numri në shumë lagje të goditura më fortë vijon të ndryshojë nga ora në orë. Në Tiranë janë 1192 banesa të dëmtuara, 265 pallate, 8 shkolla dhe 1 qendër shëndetësore. Në mbledhjen e kësaj të shtune, Kryeministri ka bërë të qartë dhe kategoritë që përfitojnë si dhe dy prej tyre që përjashtohen.
Ndërkohë që gjithë kjo situatë ka shërbyer dhe për një analizë për cilësinë e ndërtimeve dhe për të ndëshkuar kush ka abuzuar. I kërkon bizneseve që duan të kontribuojnë vetëm të ardhura monetare. Ndërkohë që janë ndërmarrë dhe lehtësira për ata që do të vendosin nga sot të bëhen pjesë e donacioneve. Vlerëson rolin e kreut të opozitës në këtë situatë.