MBËSHTETJE PLEBISHITARE PËR SIMBOLIN E GJENOCIDIT NË KOSOVË!
“Epoka e re”
Në përfundim të këtij viti, vlen të përmendet kërkesa e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore të Kosovës dhe forcave politike të vendit që të përcaktohet lulëkuqja me katër petale si simbol unik i përkujtimit të viktimave të gjenocidit.
Që nga data 16 nëntor 2022 kur u bë publike kjo iniciativë, mbështetja është rritur vazhdimisht. Sot, pas një muaj e gjysmë mund të themi se çështja e lulëkuqes me katër petale ka marrë përmasa gjithëkombëtare duke u bazuar në faktet se në mbështetje të kësaj kërkese kanë dalë:
– Shkrimtarë të shquar nga Shqipëria, Kosova dhe anekënd botës: Besnik Mustafaj, Bedri Islami, Virion Graçi, Namik Dokle, Adem Gashi, Mustafë Xhemajli, Flora Brovina, Muhamet Mavraj, Dije Lohaj, Sadri Ramabaja, Besnik Camaj, Isuf Sherifi, Vaxhid Sejdiu etj;
– Profesorë universitarë të artit dhe artistë të shquar shqiptarë: Kastriot Tusha, Ilir Shaqiri, Hivzi Muharremi, Blerim Grubi, Genc Prelvukaj, Hysni Klinaku, ELITA 5 etj;
– Personalitete të shquara kombëtare: Ekrem Bardha, një ndër figurat më domethënëse të lëvizjes atdhetare në Shtetet e Bashkuara, drejtues i njohur dhe mbështetës i fuqishëm i Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, i pari që ka folur para Kongresit Amerikan në emër të mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë, atdhetari, ndoshta i vetmi që në jetën e tij politike është takuar me 7 presidentë të SHBA-së;
– Akademiku Rexhep Qosja, i cili në vazhdimësi ka qenë zëri i “Popullit të ndaluar”;
– Zonja Vasfije Krasniqi Goodman- Njëra nga viktimat e mbijetuara të gjenocidit, e cila me dëshmitë e veta tronditi Senatin dhe Kongresin amerikan dhe disa institucione të shteteve të BE-së
– Ekrem Jashari, djalë i heroit të kombit, Sherif Jashari nga Prekazi;
– Shkëlqim Millaku, profesor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, i biri i dëshmorit Hazir Millaku.
– Saime Isufi, veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, bashkëshorte e Kadri Zekës dhe bashkëveprimtare e Jusuf e Bardhosh Gërvallës;
– Shukrie Ramadani, veprimtare dhe bashkëshorte e heroit të kombit, Agim Ramadani;
– Mjekë: Shqiptar Adem Demaçi, Xhemajl Selmani, Naim Uka, Musa Gashi etj;
– Afrim Hoti profesor universitar i lëndës Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e Drejta ndërkombëtare;
– Arta Toçi, porfesoreshë në Universitetin e Tetovës;
– Dijana Sh. Toska, Drejtoreshë e Teatrit në Shkup;
– Diplomati Flamur Gashi;
– Lidhja e Historianëve të Kosovës, Instituti i historisë, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, Shoqata VATRA Queens nga Amerika, Federata e Paqes Universale për Kosovë, solidarizohet me kërkesën që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë, Fondacioni “Hasan Prishtina” në Kosovë, Shoqëria Shqiptare ILIRIA në Lyon të Francës, Shoqata “Mëmëdheu” në Zvicër etj;
– Kuvendet komunale: Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Vushtrri, Deçan, Skenderaj, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit, Viti, Rahovec, Malishevë dhe në rend të ditës e kanë edhe disa komuna të tjera.
– Nëpërmjet rrjetit social “Facebook” dhe intervistave apo formave të tjera të komunikimit kanë shprehur mbështetjen e tyre edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha partitë politike, ministra të Qeverisë së Kosovës;
– Redaksia e gazetës “Epoka e re” në Prishtinë dhe Redaksia e gazetës “Dielli” në New York të SHBA-së.
Përveç mbështetjes nga shqiptarët e katër anëve të globit, iniciativa për të pasur lulëkuqen si simbol të viktimave të gjenocidit u mbështet edhe nga:
– Regjisorja dhe aktivistja norvegjeze e të drejtave të njeriut, Maria Fuglevaag Warsinska-Varsi, e cila ka qenë e angazhuar në ekipet që hulumtuan dhe dokumentuan krimet edhe në Kosovë, në vitin 1999;
– Hulumtues shkencor, juristi, filozofi dhe shkrimtari danez Niels Henrik Hooge,, i cili në kohën kur Serbia kishte vënë në funksion të gjitha aparatet e dhunës për të zbatuar politikën e gjenocidit në Kosovë, la luksin e Danimarkës, erdhi në Kosovë dhe iu bashkëngjit luftës çlirimtare të UÇK-së.
Me një fjalë, kërkesa që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik i përkujtimit të viktimave të gjenocidit ka gjetur një përkrahje plebishitare. Urojmë që më 15 janar, në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, ky simbol të jetë simboli unik që përkujton viktimat e gjenocidit që shkaktoi Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.