Mbështetje votës PËR, në referendumin e 30 shtatorit
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, duke e vlerësuar momentin historik dhe rëndësinë që ka integrimi euroatlantik i vendit tonë, u është drejtuar përmes një komunikatë për medie të gjithë qytetarëve të këtij shteti që të deklarohen pozitivisht në referendumin e 30 shtatorit.
“…duke besuar thellë se kështu realizohen edhe synimet shekullore shqiptare për t’u bashkuar me botën e qytetëruar perëndimore. Në të vërtetë, që nga Sami Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Ferhat Draga, ka vazhduar amaneti rilindës për orientimin properëndimor të kombit tonë. Nisur nga kjo, ndërsa duke qenë të bindur se me integrimin euro-atlantik të Maqedonisë hapen edhe perspektiva për zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe kultivimit e mbrojtjes së identitetit tonë kombëtar, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni vlerëson se është interes jetik i shqiptarëve në Maqedoni që të deklarohen PËR në këtë referendum, duke mos lejuar që të përsëriten histori të kaluara të këtij rajoni të trazuar”, është thënë në komunikatën për medie të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, ku drejtor është prof. dr. Skender Asani.
Sipas këtij instituti, është edhe përgjegjësia dhe vendosmëria intelektuale ajo që i shtyn qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët në këtë shtet që të jenë të kujdesshëm për të ardhmen në këtë vend.
“Ndërsa duke i besuar, me këtë rast, edhe komunitetit miqësor ndërkombëtar, që na mbështet në këtë synim, jemi të bindur se rruga jonë e vetme si shtet dhe si komb është integrimi euroatlantik, që merr udhë përmes PO-së së këtij referendumi”, është theksuar në këtë komunikatë të të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.
/Epoka e re/