Mbesin pa ujë tri lagje në Prishtinë
Pasditen e sotme ka shpërthyer një gyp i rrjetit të ujësjellësit në Prishtinë, më saktësisht në lagjen Arbëria.
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku përmes një njoftimi për medie ka thënë se ekipet tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Para pak çastesh ka shpërthyer një gyp i ujit me diametër fi 200 mm , te rruga e ‘Tiranës’ që lidhet me rrugën e UÇK -së në Prishtinë, në afërsi të hekurudhës. Ekipet e operimit dhe mirëmbajtjes kanë dalë në vendin e ngjarjes , fillimisht për ta ndërprerë ujin , me qëllim sanimin e gypit. Pa furnizim me ujë, deri në sanimin e gypit do të mbesin zonat: Një pjesë e lagjes Arbëria deri te komuna e re e Prishtinës, lagjja Lakrishte dhe një pjesë e lagjes Dardania, në Prishtinë”, deklaroi ajo.
Mjeku theksoi se dëmtimi është i madh, duke kërkuar mirëkuptimin nga qytetarët.