Mbeten ende në fuqi çmimet e rritura të sigurimeve të automjeteve
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ende nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me kërkesën e parashtruar nga një grup i qytetarëve dhe disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, për shfuqizimin e vendimit për rritjen e çmimit të sigurimit të detyrueshëm për automjetet për pasagjerë.
Të kontaktuar nga “Radio Evropa e Lirë”, përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me këtë çështje dhe të japin informacione se a mund të anulohet një vendim i tillë.
Më 15 dhjetor të këtij viti, BQK-ja përmes një vendimi ka rritur tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë për mbi 26 për qind.
Ky vendim kishte ngritur pakënaqësitë e qytetarëve, grupeve të ndryshme që identifikohen si adhurues të veturave dhe shoqërisë civile. Një grup i tillë me emrin “Marakli t’kerreve” vazhdojnë të kundërshtojnë rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve.
Agan Hajdarhoxha nga ky grup, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se presin që gjatë kësaj jave të kenë takim me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të merret ndonjë vendim.
“Kemi marrë një përgjigje nga Banka Qendrore. Na është kërkuar që të bëjmë një grup punues me një ekspert të komunikacionit, një të sigurisë dhe një avokat dhe të shkojmë në takim përsëri, por për shkak të disa aktiviteteve humanitare që kemi pasur nuk kemi mundur të takohemi. Tani jemi në konsultime me një avokat për hapat e mëtejmë”, ka thënë Hajdarhoxha.
Sipas tij, nëse nuk arrihet të anulohet vendimi i BQK-së për rritjen e çmimit të sigurimit të automjeteve, atëherë do të kërkojnë që të gjenden forma tjera që lehtësojnë pagesën që qytetarët bëjnë për sigurim të automjeteve.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/cmimet-sigurimi-i-automjeteve-bqk-/30316085.html.