Mbetën jashtë qeverisë së re, serbët e Malit të Zi në revoltë
Për disa ditë me radhë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, kanë ushtruar presion mbi kandidatin për kryeministër, Miljoko Spajiq, duke i kujtuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë gjysmën e pushtetit, gjë që duhej ta kishin edhe serbët e Malit të Zi të cilët kanë fituar 13 deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Të revoltuar nga mënjanimi që u është bërë nga Spajiqi, krerët e partive pro serbe i kanë shkruar një letër publike presidentit Jakov Milatoviqit, duke e akuzuar të mandatuarin për kryeministër se gjatë gjithë kohës ka bërë negociata të rreme me ta.
Koalicionit për të ardhmen e Malit të Zi ju ishin ofruar tre ministri si dhe postet e zëvendëskryeministrit dhe zëvendëskryeparlamentarit, por kjo ofertë nuk ishte e mjaftueshme sipas tyre.
Sipas serbëve shumica e partive politike dhe liderëve, të cilët Spajiq i sheh në qeverinë e tij, e kanë mbështetur ish-presidentin Milo Gjukanoviq dhe kanë marrë pjesë aktive në fushatën kundër presidentit Jakov Milatoviq, bashkëthemelues i Lëvizjes “Evropa Tani” e Miljoko Spajiq.
Kandidati për kryeministër i ka dhënë partisë boshnjake që përfaqësohet me 6 deputete në parlamentin e ri postin e zëvendëskryeministrit si dhe ministritë e transportit, energjetikës, diasporës dhe bujqësisë.
Partia boshnjake ishte kundër hyrjes së partive serbe në qeverinë e re edhe para fillimit të negociatave zyrtare për formimin e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ishin po ashtu kundër serbëve në qeverinë e re malazeze.
Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka pranuar postet e zëvendëskryeministrit për investimet kapitale dhe të ministrit të Administratës Publike. Gjeloshaj ka thënë se gjatë negociatave e ka bindur Spajiqin për mbylljen e plotë të pikave të basteve dhe kazinove.
Ndërsa edhe Aleanca Shqiptare e Genci Nimanbegut, do të jetë pjesë e qeverisë se re malazeze ku do të mbajë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, dikaster që aktualisht drejtohet nga Fatmir Gjeka. Pa serbët qeveria e re malazeze do të kishte mbështetjen me 42 vota në parlamentin e përbërë nga gjithsej 81 deputetë.
Për shkak të kësaj situate, vota e Mehmed Zenkës deputetit shqiptar në listat e socialdemokratëve të ish-presidentit Gjukanoviq do të ishte vendimtare për zgjedhjen si kryeparlamentar të liderit të demokratëve, Aleksa Beçiq.
Spajiq ka një afat prej 90 ditësh për të formuar qeverinë nga marrja e mandatit nga presidenti i vendit, që do të thotë se kabineti i ri qeveritar duhet të formohet më së voni deri në fillim të nëntorit. /KlanNews