Mbi 1.1 milion të infektuar e 59 mijë të vdekur nga koronavirusi
Sipas të dhënave më të reja të Universitetit “Johns Hopkins”, 1 milion e 119 mijë persona janë infektuar me koronavirus në mbarë botën, ndërsa gati 59 mijë kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbesin në vendin e parë në botë me numrin e të infektuarve, me mbi 278 mijë raste, ndërsa Italia ende ndodhet e para për numrin e viktimave, me 14 mijë e 681 të vdekur.
Italia është e dyta në botë sa i përket shifrës së të infektuarve me gati 120 mijë raste, kurse e treta është Spanja me 119 mijë. Pas saj vijnë Gjermania me 91 mijë raste dhe Franca me 83 mijë të infektuar.
Sa iu përket viktimave, pas Italisë radhitet Spanja me mbi 11 000 të vdekur, Shtetet e Bashkuara me 7400 dhe Franca me 6500 të vdekur, transmeton Express.
Në Kinë ka më së shumti persona të shëruar – gati 77 mijë, ndërsa pas saj radhiten Spanja me mbi 33 mijë të shëruar dhe gjermania me mbi 24 mijë.
Rastet e para të virusit të ri u regjistruan në dhjetor të vitit të kaluar në Vuhan të Kinës, ndërsa sëmundja tashmë është përhapur në 181 shtete dhe territore të ndryshme në të gjitha pjesët e botës.