Mbi 1 500 besimtarë nga Kosova shkojnë në haxh këtë vit
Në Këshillat e Bashkësisë Islame në Kosovë kanë filluar përgatitjet për nisjen e besimtarëve myslimanë për në haxh.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se besimtarët myslimanë në të gjitha Këshillat e BI-së, janë duke i marrë mësimet e duhura se si duhet të kryhet ky ritual.
“Me udhëzimet për durim, forcë dhe sakrificë, ata janë duke u përgatitur për ta kryer edhe kushtin e pestë të Islamit – haxhin. Karshi mësimeve dhe këshillave, në të gjithë Këshillat e BI-së është duke u organizuar edhe duaja e haxhit, në të cilën besimtarët lusin të Madhin Zot që t’u japë shëndet e t’ua pranojë adhurimet e haxhit”, ka njoftuar BIK-u.
Sipas BIK-ut, këtë vit nga Kosova do të udhëtojnë 1 576 besimtarë, për ta kryer haxhin, kurse grupi i parë i besimtarëve parashihet që të udhëtojnë më 2 qershor 2024.