Mbi 10 mijë fëmijë të pavarësisë festojnë Ditën Olimpike
Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni, kanë zbuluar detajet e organizimit të edicionit të tetë të Ditës Olimpike 2019, që organizohet më 27 maj 2019. Dita Olimpike organizohet këtë herë në 25 komuna, ndërsa pjesëmarrës janë fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë së Kosovës (2008). KOK-u do ta organizojë Ditën Olimpike më 27 maj, pasi pikërisht në këtë datë, 27 vjet më parë, u themelua Komiteti Olimpik të Kosovës.
“Për dallim prej viteve të tjera, ku gjashtë edicione janë zhvilluar vetëm në Prishtinë, ndërsa vitin e kaluar në shtatë regjione, këtë herë Dita Olimpike 2019 do të organizohet në 25 qytete. Bëhet fjalë për më tepër se 10 mijë fëmijë, të cilët do të vrapojnë në të njëjtën kohë. Pra përpjekjet tona, falë edhe ndihmës së komunave, janë që në orën 9:30 të gjithë fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë së Kosovës të vrapojnë dhe ta japin mesazhin për t’u marrë me sport, që është edhe qëllimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë Hasani, i cili ka shtuar se qëllimi i KOK-ut është që këta fëmijë të vrapojnë gjatë tërë jetës së tyre, derisa ftoi të gjithë prindërit, gjyshërit dhe qytetarët e tjerë të jenë të pranishëm në sheshet e komunave të tyre.
Komunat në të cilat do të organizohet Dita Olimpike 2019 janë: Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Gjakova, Vushtrria, Podujeva, Skënderaj, Suhareka, Drenasi, Vushtrria, Dragashi, Obiliqi, Kaçaniku, Deçani, Malisheva, Fushë Kosova, Rahoveci, Shtimja, Klina, Vitia, Istogu, Kamenica, Juniku dhe Hani i Elezit. Prizreni dhe Peja, janë dy prej komunave të mëdha dhe të vetme që nuk iu bashkuan këtij projekti. Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, foli për të ftuarit që do të jenë në ceremoninë hapëse nëpër komuna dhe të cilët do ta bëjnë edhe më madhështore këtë ditë. “Për ta bërë edhe më të rëndësishme këtë ditë, kemi ftuar gjithë liderët shtetërorë të jenë pjesëmarrës në komuna të ndryshme për ta bërë hapjen. Deri më tash ministri i Sportit, Kujtim Gashi, e ka konfirmuar ftesën, pastaj kampionia olimpike Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, ish-presidentja Atifete Jahjaga, Mehmet Bogujevci, ish-boksier i mirënjohur. Jemi në pritje të konfirmimit edhe nga kryeministri, presidenti dhe kryeparlamentari. I ftuar është edhe ylli i futbollit tonë, Milot Rashica”, deklaroi Haxhijaj.
Kryetari i Komisionit për organizimin e kësaj dite, Gazmend Maxhuni, ftoi të gjithë të jenë të pranishëm, në mënyrë që t’i shtyjmë fëmijët të merren me sport.