Mbi 10 mijë nënshkrime kundër homologimit, peticioni dërgohet në Kuvend
Më shumë se 10 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për heqjen e homologimit.
Ky peticion është dorëzuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
Nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë nga Kuvendi që Ligji për Automjete të ndryshohet dhe obligimi për homologim të hiqet në tërësi.
Peticioni është iniciuar nga ekonomisti Hekuran Murati, pas debatit që është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për homologimin e automjeteve.
Në këtë peticion thuhet: “prishja e monopolit nuk mjafton por është duke u kërkuar që parlamenti të ndryshojë Ligjin për Automjete dhe se nuk ka nevojë që 99 për qind e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se një për qind tjetër importon vetura të pastandardizuara”.
Aktualisht në Kosovë ky shërbim kryhet vetëm nga kompania “EuroLab”.
Lidhur me ketë peticion, ka folur iniciuesi Hekuran Murati, i cili ka thënë se detyrimi për homologia është plaçkë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, duke i detyruar të paguajnë shumën prej 100 eurosh, që sipas tij, verifikimin në mes të konditave të makinës dhe librezës poseduese do të mund ta bënte edhe Dogana e Kosovës.
Ai ka thënë se organizatorë të këtij peticioni janë 10 mijë qytetarë të Kosovës. “Kërkesa jonë është që obligimi për homologim të hiqet në tërësi për shkak se është vetëm një plaçkë për qytetarët. Aty nuk bëhet kurrfarë homologimi, pasi qytetarët mashtrohen. Në atë kompani krejt çka bëhet është verifikimi i të dhënave të veturës me librezën që posedon ajo veturë dhe për këtë plaçkë qytetarëve u merren nga 100 euro”, ka thënë Murati, duke shtuar se kompania “EuroLab” nuk bënë asgjë më tepër pos atë çfarë mund ta kishte bërë edhe Dogana e Kosovës.
Ai ka apeluar te ligjvënësit që ky peticion të shqyrtohet me seriozitet dhe të hiqet në tërësi homologimi i makinave. “Qytetarët e Kosovës paguajnë më së shtrenjti për importim të veturave, prandaj shpresoj se deputetët e Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe këtë vullnet të qytetarëve. Duhet të bëhen së paku gjashtë deputetë apo do të thosha gjashtë heronjë që ta çojnë përpara këtë ndryshim të nevojshëm të ligjit për automjete. Besoj se nuk do të jetë vështirë për t’i gjetur gjashtë deputetë për këtë nismë”, u shpreh ai.
Murati ka theksuar se shumica e veturave që importohen vijnë tani në sezonin veror.
Ai ka thënë se sipas pasqyrave financiare të “EuroLab”-it, janë 40 milionë euro në vit prej këtij homologimi, apo 15 mijë euro në ditë mesatarja.
/Epoka e re/ A.MAVRAJ