Mbi 100 liderë botërorë në Zvicër, Zelensky synon të merr mbështetje për planin e paqes
Më shumë se 100 liderë, duke përfshirë zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris dhe presidentët apo udhëheqësit e BE-së, Amerikës së Jugut, Lindjes së Mesme dhe Azisë, do të mblidhen sot (e shtune) në Zvicër në një nga përpjekjet më ambicioze për të krijuar një plan paqeje për Ukrainën.
Samiti vjen ndërsa liderët e G7-ës që takohen në Itali përfundojnë një marrëveshje të re për një hua prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, të siguruar nga interesat mbi aktivet e bankës qendrore ruse të ngrira nga BE-ja dhe vendet e tjera perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Konferenca dyditore e paqes, që do të mbahet në resortin luksoz Burgenstock jashtë Luzernit, do të diskutojë planin e propozuar prej 10 pikash të Kievit për t’i dhënë fund luftës, së bashku me tre tema të tjera: kërcënimin bërthamor, sigurinë ushqimore dhe nevojat humanitare në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin vendosi kushte për të arritur paqen – Kievi duhet të heq dorë nga një pjesë e territorit të vetë, të tërheqë trupat më thellë në vendin e tij dhe të heqë dorë nga aplikimi për anëtarësim në NATO – propozime që Ukraina, SHBA dhe NATO i kanë hedhur poshtë.
Deklarata e përbashkët të dielën pritet të fokusohet në rëndësinë e parimit të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen dhe respektimin e “sovranitetit dhe integritetit territorial”.
Ndërsa nuk shihet se do të sjell paqe në vetvete, ajo është projektuar për të “zvogëluar hapësirën për çdo iniciativë të padobishme”, thanë njohësit e konferencës.
Ky do të shihet si një sukses për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, i cili synon të merr mbështetje ndërkombëtare për planin e tij të paqes, i cili përfshin tërheqjen e plotë të trupave ruse nga Ukraina dhe një kthim në kufijtë e saj post-sovjetikë të vitit 1991.
Organizatorët e samitit të paqes kritikuan vendimin e Kinës për të mos marrë pjesë, një veprim që Kievi thotë se do ta ndihmonte Moskën për të minuar takimin, të cilin e mohoi ministria e jashtme e Kinës.
Kievi këmbënguli fuqishëm që një delegacion kinez të merrte pjesë në samit për t’i dhënë konferencës legjitimitet shtesë dhe për të krijuar një përplasje midis Moskës dhe Pekinit.
Kishte gjithashtu shpresa se Arabia Saudite mund të merrte pjesë pas bisedimeve “produktive dhe energjike” të Zelenskyt me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
Moska e cilësoi takimin e sotëm si të kotë, raporton euronews.
Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë, tha se nuk do të merrte pjesë sepse konferenca nuk i plotësoi kërkesat e saj, përfshirë pjesëmarrjen e Rusisë.
Zyrtarët e lartë amerikanë thanë se dhjetëra liderë do të jenë në Zvicër në një kohë kur Ukraina është në një ngarkesë ushtarake dhe flitet për rritje të lodhjes nga lufta, është një arritje mbresëlënëse.
Samiti pasoi disa takime të mëparshme, duke përfshirë një në Arabinë Saudite ku morën pjesë 40 vende, duke përfshirë Kinën, e cila është përpjekur të mbledhë mbështetje për planin e saj të paqes prej gjashtë pikash.
Pjesëmarrës të tjerë përfshijnë Tajlandën, Singaporin, Filipinet dhe Japoninë, ndërsa Malajzia dhe Kamboxhia, të cilat kanë lidhje të ngushta me Kinën, nuk e panë të arsyeshme të marrin pjesë në Zvicër.