Mbi 100 raste aktive me Covid-19, Lipjani i mbyll sheshin, parqet, shtigjet e ecjeve dhe tregjet
Komuna e Lipjanit ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar nga rastet e fundit me Covid-19 në këtë komunë, është marrë vendim që të mbyllet përkohësisht sheshi “Adem Jashari”, parqet, shtigjet e ecjeve, këndet e lojërave dhe tregjet.
Me këtë rast, kjo komunë ka kërkuar nga bizneset që t’iu përmbahen në tërësi kritereve dhe rekomandimeve për distancë në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit Korona.
“Për zbatimin e këtij vendimi obligohet inspektorati komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, është thënë në njoftimin e komunës së Lipjanit. Që nga fillimi pandemisë e deri tash janë konfirmuar 232 raste me koronavius në këtë komunë dhe janë regjistruar pesë raste të vdekjeve. Aktualisht, në Lipjan janë 117 raste aktive me këtë sëmundje.