Mbi 100 raste të pickimit nga rriqrat në Komunën e Klinës
Mbi 100 raste të pickimit të qytetarëve nga rriqrat janë regjistruar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë. Meqë evidentimi i rasteve ka nisur tek më 17 prill, ky numër, sipas mjekëve të QKMF-së, mund të jetë më i madh.
Infektologu i kësaj qendre, Haxhi Ibishi, ka thënë se, ndonëse shërbimet shëndetësore janë të angazhuara edhe në menaxhimin e pandemisë së COVID-19, situata me rriqrat është nën kontroll, raporton KOHA.
“Shkaku i pandemisë së koronavirusit, sivjet kemi nisur prej 17 prillit evidentimin e rasteve të pickimit nga rriqrat. Deri më tash janë të regjistruara 105 raste të pickimit nga rriqrat. Ndoshta ka pasur raste të pickimit edhe para 17 prillit, por këto të dhëna nuk i kemi, sepse edhe po të kishte pasur, me siguri shkaku i pandemisë, nuk janë paraqitur te mjeku”, ka thënë infektologu Haxhi Ibishi.
Ai ka treguar se numri i rasteve është më i vogël se i periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, ndonëse sivjet, sipas tij, regjistrimi ka nisur tri javë më vonë.
“Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar i kemi pasur 130 raste të pickimit, por të cilat vjet janë regjistruar prej datës 27 mars”, ka thënë Ibishi.
Të prekurit nga rriqra bëhet e ditur se nuk kanë shfaqur probleme serioze shëndetësore.