Mbi 13 mijë raste pozitive me Covid në Kosovë që nga fillimi i pandemisë
Krahasuar me numrin e popullsisë dhe të testimeve, në Kosovë numri i rasteve pozitive me Covid vazhdon të jetë i lartë.
Që nga rasti i parë me Covid në muajin mars e deri më tani në vendin tonë janë infektuar nga virusi “Korona” 13 713 qytetarë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga ky numër, 9 923 persona janë shëruar dhe 539 të tjerë kanë ndërruar jetë.
Ky institut ka bërë me dije se në 24 orët e fundit nga koronavirusi kanë ndërruar jetë gjashtë persona, 131 janë shëruar dhe janë paraqitur 112 raste të reja.
“Gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK, me metodën RT-PCR dhe në laboratorët privatë, janë testuar gjithsej 488 mostra të marra nga ShSKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 112 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 13 713 raste nga 52 157 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 539 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 131 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 9 923 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3 251”, ka njoftuar IKShPK-ja, duke treguar numrin e rasteve sipas komunave të prekura nga Covidi.
“Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 36 raste, komuna Gjakovë 16 raste, komuna Gjilan 10 raste, komuna Pejë 7 raste, komuna Viti 5 raste, komuna Deçan 4 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Lipjan 4 raste, komuna Malishevë 4 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Mitrovicë 3 raste, komuna Skenderaj 3 raste, komuna Fushë Kosovë 2 raste, komuna Klinë 2 raste, komuna Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Kamenicë, Kllokot, Obiliq, Podujevë, Prizren, Rahovec dhe Vushtrri”, ka njoftuar IKShPK-ja.
(F.D/ Epoka e re)