Mbi 15 mijë raste me grip stinor në vetëm dy muaj

18 dhjetor 2021 | 15:58

Brenda dy muajve, mbi 15 mijë persona janë prekur nga gripi stinor në Kosovë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), dërguar Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.

Gripi stinor është një infeksion akut viral, i cili përcillet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes.

Sipas zyrtarëve të IKSHPK-së, gripi stinor nuk e ka arritur ende pragun epidemik, porse vërehet intensitet i shtuar i rasteve.

Numri më i madh i personave të prekur u takon moshave 15 deri në 29 vjeç, pasuar nga fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.

Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, pastaj Fushë Kosova, Podujeva e Lipjani.

Florije Hyseni-Morina, mjeke familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se numri i pacientëve me simptoma të gripit stinor, është rritur brenda një periudhe të shkurtër.

“Totali i numrit të pacientëve – i shprehur në përqindje – është rritur gjatë dy javëve të fundit për 50 për qind më shumë sesa në fazën kur nuk kemi pasur grip stinor”, thotë Hyseni-Mornia, duke shtuar se pacientët janë kryesisht të rinj.

Sipas saj, simptomat e gripit stinor janë: temperatura, rrjedhja e hundëve, dhembja e fytit, kollitja e të tjera.

Hyseni-Morina rekomandon që pacientët të ushqehen shëndetshëm, duke përdorur më shumë vitamina dhe duke bërë aktivitet fizik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi i është bashkuar…