Mbi 15 milionë vetura të reja regjistrohen në BE gjatë vitit 2018
Sipas Shoqatës së Prodhuesve Evropian të Automjeteve (ACEA), në vendet e Bashkimit Evropian (BE) gjatë vitit 2018 janë regjistruar mbi 15 milionë vetura të reja dhe është gati i barabartë me atë të vitit 2017, apo vetëm për 0.1 për qind më i lartë.
“Ndonëse rritja është tejet modeste, flet për vitin e pestë të rritjes së numrit të automjeteve të reja të regjistruara, me 15.2 milionë në tërë territorin e BE-së”, thuhet në njoftim të ACEA.
Sipas ACEA-s, kërkesa është nxitur kryesisht nga vendet e Evropës Qendrore, ku është regjistruar një rritje prej 8 për qind vitin e kaluar.
“Rezultatet ishin të ndryshme në pesë tregjet kryesore të BE-së”, thueht në njoftim.
Kërkesa për automjete pasagjerësh në vitin 2018 u rrit në Spanjë me 7 për qind dhe Francë me 3 për qind, ndërsa Gjermania pati rënie prej 0.2 për qind, Italia me 3.1 për qind dhe Britania e Madhe me 6.8 për qind, përcjell “Telegrafi”.
Grupi i VW, markat kryesore të të cilit janë Wolkswagen, Audi, Skoda, Seat and Porsche, ishte prodhuesi me përqindjen më të madhe të shitjeve në vitin 2018, ose 23.8 për qind nga totali.
Pas VW-së vjen grupi PSA në pronësi të të cilit janë markat Peugeot, Citroen dhe Opel, si dhe nga Renault Group që kanë arkëtuar 16.5 për qind dhe 10.1 për qind të shitjeve.