Mbi 150 mijë viktima nga koronavirusi në ShBA

30 korrik 2020 | 10:10

Shtetet e Bashkuara regjistruan 1 267 viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të mërkurën vonë.

Me këtë shifër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave në ShBA kalon 150 mijë.

Numri i vdekjeve nga Covid-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka qenë në rritje në ShBA për tri javë rresht, pasi numri i rasteve të reja pozitive është rritur në shtetet: Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksas, raporton “Rel”.

Situata ka bërë që këto shtete dhe të tjera të ngadalësojnë hapat për rihapjen e bizneseve, të cilat janë mbyllur në mars dhe në prill, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Numri i viktimave në ShBA, prej 150. 649, paraqet rreth një të katërtën e numrit global të të vdekurve nga koronavirusi, që është afro 665.000.

Numri i të infektuarve në gjithë botën është afro 17 milionë.

Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara është më i lartë se në çdo vend tjetër, por për shkak të popullsisë së madhe, prej më shumë se 330 milionë banorësh, ShBA-ja renditet e gjashta për nga numri i vdekjeve për kokë banori, pas Britanisë së Madhe, Spanjës, Italisë, Perusë dhe Kilit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka njoftuar se ka…