Mbi 18 milionë euro për sheshin ‘Xhorxh Bush’, Komuna e Prishtinës nis procedurat për ndërtimin e tij
18 milionë e 400 mijë euro është vlera e tenderit që ka hapur Komuna e Prishtinës për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”. Tashmë komuna e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, ka dorëzuar njoftimin paraprak për kontratë.
Lloji i procedurës është i hapur dhe kriteri për dhënien e kontratës është “tenderi ekonomikisht më i favorshëm”.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është deri më 6 shtator deri në ora 14:00.
Sipas dosjes së tenderit, punimet për ndërtimin e këtij sheshi duhet të përfundojnë brenda 540 ditëve të punës.
Gjithashtu, operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të punëve të ngjashme në 3 (tri) vitet e fundit para publikimit të njoftimit për kontratë në vlerë jo më pak se 27 milionë e 500 mijë euro.
Përveç kësaj dëshmie, operatorit ekonomik duhet t’i plotësojë edhe kërkesat e tjera që janë përcaktuar nga komuna.
Ndërsa në dosjen e tenderit nuk janë dhënë specifikimet teknike të detyrueshme për shkak të vëllimit të madh të projektit.
“Projektin mund ta tërhiqni përmes CD-së ne zyrën e prokurimit nr.209. Për shkak të vëllimit të madh të projektit nuk kemi mundur ta ngarkojmë në sistem të E-prokurimit”, është thënë në dosjen e tenderit.