Mbi 2 000 nxënës e sfidojnë dijen në garën e Inteligjencës ‘Eureka 7’
Përfundoi me sukses faza e parë e garës së Inteligjencës “Eureka 7” që sfidoi dijen e mbi 2 000 nxënësve nga mbarë Kosova.
Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë Atmosfera të shtunën organizoi edicionin e shtatë me radhë gara e Inteligjencës “Eureka 7”.
Më 7 dhjetor 2019, ditën e shtunë në ora 11:00 u mbajt në të gjithë Kosovën testi i fazës së parë i kësaj gare tashmë tradicionale, e cila është e miratuar dhe e përkrahur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe DKA-të (Drejtoritë Komunale të Arsimit) në të gjithë Kosovën.
Gara e inteligjencës “Eureka 7” sfidoi dijen e mbi 2000 nxënësve më të mirë nga e gjithë Kosova të përzgjedhur nga klasat e 9-ta nga më se 26 komuna të ndryshme të Kosovës. Në mesin e 2000 nxënësve ku ishin pjesëmarrës do të përzgjidhen 250 finalistë ku do të garojnë në fazën finale të Garës Eureka e cila do të mbahet me 21 mars 2019, nga ora 11:00 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.
“Qëllimi i organizimit të kësaj gare është që të gjithë bashkërisht të përkrahim brezin e ri të vendit tonë duke i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën dhe njëkohësisht duke rritur cilësinë e arsimit ku llogaritet si investim më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe sigurt për atdheun tonë”, ka thënë Feim Hoxha, drejtori i Gjimnazit Hasan Nahi. “Puna më e madhe që mund të bëhet në një vend është pikërisht përpjekja në fushën e arsimit. Një shoqëri që studion, mëson dhe këto që mëson i jeton të gërshetuara me vlerat kombëtare, atëherë ardhmëria e kësaj shoqërie është e shëndoshë”, ka shtuar Hoxha.
Ai e ka falënderuar MASHT-in dhe të gjitha drejtoritë arsimore për mbështetjen dhe seriozitetin e treguar në realizimin e këtij projekti prestigjioz dhe shumë të rëndësishëm. Në këtë garë i jepet mundësia që çdo nxënësi nga klasat e 9-ta të garojë, të zhvillojë mënyrën e të kuptuarit, arsyetuarit dhe logjikuarit të tij dhe të zbulojë talentin e vet.
Rezultatet e fazës së pare të kësaj gare mbarëkombëtare priten të dalin të mërkurën me 11 dhjetor, ku do të shpallen 250 finalistë.
/Epoka e re/